Gjermani, arrestohen dy kosovar për rrahjen e një kroati

15.11.2025

Ngjarja ndodhi natën e së shtunës, më 8 nëntor 2025, rreth orës 3:30 të mëngjesit, kur policia u njoftua përmes një telefonate emergjente nga një bar në Sandstrasse, duke raportuar për një konflikt të ashpër mes disa burrave.

Sipas autoriteteve, dy persona kishin sulmuar fizikisht një 24-vjeçar kroat duke e goditur me grushte dhe me gju, çka i shkaktoi një prerje në kokë. Viktima u transportua me urgjencë në spital për trajtim mjekësor.

Dy sulmuesit ishin larguar para mbërritjes së policisë, por gjatë një kontrolli të mëvonshëm në qendër të qytetit, një makinë policie pa shenja dalluese arriti t’i lokalizojë të dy të dyshuarit në zonën e këmbësorëve. Ata u arrestuan me mbështetjen e patrullës së stacionit policor Nuremberg-Mitte.

Të arrestuarit janë një 25-vjeçar dhe një 35-vjeçar nga Kosova. Gjatë kontrollit, policia konstatoi se të dy mbanin dokumente të falsifikuara, përfshirë patentë dhe letërnjoftim. Verifikimet zbuluan gjithashtu se ndaj 25-vjeçarit ishte lëshuar një urdhër arresti për një çështje të mëparshme.

Dokumentet e falsifikuara u sekuestruan, ndërsa të dy personat u identifikuan në stacion policie. Ata tashmë po hetohen për sulm të rënduar dhe falsifikim dokumentesh. 25-vjeçari, për shkak të urdhër-arrestit ekzistues, u dërgua në qendrën qendrore të paraburgimit për t’u transferuar tek autoritetet gjyqësore.

Policia e Nyrembergut po vazhdon hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të incidentit.