Gjermani, arrestohen 8 persona të dyshuar si terrorist, marrin pjesë mbi 450 policë
Tetë anëtarë të dyshuar të një grupi të ekstremit të djathtë janë arrestuar në Saksoni e në vende të tjera, duke përfshirë një politikan lokal të AfD. Sipas informacioneve gjatë arrestimit të tij ka pasur një incident.
Më shumë se 450 policë dhe forca speciale morën pjesë në aksionin e ndërmarrë në disa vende herët në mëngjesin e së martës. Goditja erdhi pas muajsh hetimesh ndaj një grupi të dyshuar të së djathtës ekstreme që e quan veten “separatistët saksonë”. Ato ishin të përqendruara në landin gjerman lindor të Saksonisë.
Në një deklaratë shtypi, zyra e prokurorit federal në Karlsruhe justifikoi arrestimet duke folur për rrezikshmërinë e 15 deri në 20 anëtarëve. Grupi militant synonte të përgatitej për një ditë të supozuar X në lindje të Gjermanisë, në të cilën ai llogariste kolapsin e rendit shoqëror. “Në një rast të tillë, ky grup synonte të pushtonte me forcën e armëve zona në Saksoni dhe në rast nevoje edhe në lande të tjera federale lindore, për të krijuar një shtet dhe një shoqëri sipas modelit të nacionalsocializmit”. Grupi terrorist kishte planifikuar gjithashtu “të largonte grupet e padëshiruara të njerëzve nga zona përmes spastrimit etnik nëse ishte e nevojshme”.
Sipas autoriteteve të sigurisë, ideologjia e anëtarëve të supozuar karakterizohej nga “ide raciste, antisemite dhe pjesërisht apokaliptike”.
Stërvitje luftarake për luftime shtëpi më shtëpi
Që nga themelimi i saj në nëntor 2020, organizata thuhet se është përgatitur për një përmbysje të sistemit, ndër të tjera përmes trajnimeve të përsëritura paraushtarake me pajisje luftarake. Sipas Prokurorisë Federale, “në veçanti, u praktikuan luftime shtëpi më shtëpi, përdorimi i armëve të zjarrit, marshimet dhe patrullimet e natës dhe të detyruara”. Grupi ka marrë gjithashtu pajisje ushtarake, të tilla si kostume kamuflazhi, helmeta luftarake, maska gazi dhe jelekë mbrojtës.