Gjermani, aksion doganor në kompaninë e ndërtimit të një kosovari – pronari përfundon në paraburgim
Një kompani për ndërtimin e kulmave në Weinstadt të Gjermanisë, me pronar nga Kosova, është vënë nën hetim nga autoritetet doganore për dyshime mbi punësim të paligjshëm dhe shkelje të ligjeve të punës.
Aksioni është kryer mëngjesin e 29 tetorit 2025 nga Zyra Kryesore Doganore e Shtutgartit, ku janë kryer kontrolle në hapësirat e kompanisë dhe në zonën e magazinimit.
Gjatë kontrollit u verifikuan pesë punonjës. Sipas autoriteteve, një 17-vjeçar nga Kosova dhe një 30-vjeçar nga Maqedonia nuk posedonin leje qëndrimi të vlefshme për punë në Gjermani, dhe ndaj tyre janë inicuar hetime për qëndrim të paligjshëm.
Ndërkohë, dy punëtorë të tjerë – një 31-vjeçar kosovar dhe një 50-vjeçar serb – kishin dokumente qëndrimi, por jo leje pune, dhe tani po përballen me gjoba dhe procedura administrative.
Në qendër të hetimit ndodhet edhe pronari 29-vjeçar i kompanisë. Gjatë kontrollit, autoritetet zbuluan se ndaj tij kishte urdhër-arrest në fuqi për drejtim automjeti pa patentë, duke çuar në arrestimin e tij dhe vendosjen në paraburgim.
Sipas njoftimit, drejtori menaxhues nuk është i panjohur për autoritetet, pasi më herët ishte hetuar nga Njësia e Kontrollit Financiar për Punën e Padeklaruar për dyshime mbi mbajtjen e kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe ndihmën në qëndrim të paligjshëm të personave të tjerë.
Hetimet mbi rastin po vazhdojnë, ndërsa autoritetet pritet të japin më shumë detaje pas përfundimit të procedurave iniciale./Urgjent/