Gjermani, 38-vjeçari kosovar në paraburgim – akuzohet për zjarrvënie të qëllimshme një ndërtesë banimi
Një shtetas kosovar 38-vjeçar ndodhet në paraburgim në Gjermani, i dyshuar për vënien e qëllimshme të një zjarri që shpërtheu më 3 qershor 2025 në një ndërtesë banimi në rrugën Lauchstraße.
Si pasojë e zjarrit, një grua 22-vjeçare dhe fëmija i saj gati njëvjeçar kanë pësuar lëndime të lehta. Ata ndodheshin në njërin prej apartamenteve të pallatit në momentin kur shpërtheu zjarri, ndërsa ndërhyrja e shpejtë e zjarrfikësve ndihmoi në shmangien e pasojave më të rënda.
Pas hetimeve fillestare, autoritetet arrestuan të dyshuarin, ndërsa Zyra e Prokurorit Publik të Stuttgartit kërkoi dhe siguroi një urdhër arresti nga një gjyqtar në Böblingen. I dyshuari u vendos menjëherë në paraburgim.
Ndërtesa vazhdon të mbetet e mbyllur për arsye sigurie, ndërkohë që një ekspert është ngarkuar për të shqyrtuar rrethanat teknike të zjarrit. Autoritetet kanë bërë thirrje për ndihmë nga publiku dhe kërkojnë që kushdo që ka parë ndonjë aktivitet të dyshimtë pranë vendit të ngjarjes, të kontaktojë Departamentin e Hetimit Penal të Ludwigsburgut në numrin 0800 1100225, ose përmes emailit në adresën hinweise.kripo.boeblingen@polizei.bwl.de.