Gjermanët hyjnë në vitin e ri me shqetësime të thella
Ndërsa shumica e njerëzve në botë presin Vitin e Ri me shpresë dhe entuziasm, gjermanët po hyjnë në vitin 2025 me një ndjenjë të thellë shqetësimi dhe frike.
Kështu rezulton nga një sondazh i fundit i kryer nga Fondacioni i Hamburgut për Çështjet e së Ardhmes.
Sipas këtij studimi, 63% e gjermanëve shprehen të shqetësuar për vitin që vjen, një rritje prej 4% krahasuar me vitin e kaluar. Kjo shifër tregon se shqetësimet e qytetarëve gjermanë janë në rritje të vazhdueshme.
Ulrich Reinhardt, drejtor shkencor i fondacionit, shpjegon se shkaqet e këtij shqetësimi janë të shumëfishta. Luftërat në Evropë, ndryshimet klimatike, problemet ekonomike si inflacioni dhe pasiguria, si dhe çështjet e migracionit janë vetëm disa nga sfidat që peshojnë mbi shpinën e shoqërisë gjermane.
“Qytetarët gjermanë janë të shqetësuar për të ardhmen e tyre dhe të fëmijëve të tyre. Ata shohin një botë që po ndryshon shumë shpejt dhe nuk janë të sigurt se si do të përballojnë këto ndryshime,” thotë Reinhardt.