Debat për moshën e pensionimit në Gjermani

08.12.2025

Në Gjermani po debatohet fuqishëm për reformimin e sistemit të pensioneve dhe për mënyrën se si duhet përcaktuar mosha e daljes në pension.

Aktualisht, kjo përcaktohet kryesisht nga data e lindjes, dhe deri në vitin 2031, mosha e daljes në pension do të rritet gradualisht në 67 vjeç, ndërsa ata që kanë paguar 45 vjet kontribute në sigurimet shoqërore kanë të drejtë të dalin më herët.

Ministrja e Punës, Bärbel Bas, ka shprehur mbështetje për idenë që mosha e daljes në pension të lidhet jo vetëm me jetëgjatësinë, por edhe me numrin e viteve të kontributeve të paguara në arkën e sigurimeve shoqërore, duke u referuar edhe tek rekomandimi i ekonomistit Jens Südekum, këshilltar i Ministrit të Financave, që e konsideron këtë mënyrë më të drejtë.

Ajo sqaron se ekzistojnë dy modele të mundshme: njëri bazohet tek jetëgjatësia, ndërsa tjetri tek vitet e kontributeve, ku një person që fillon punën herët dhe paguan kontribute për një periudhë të gjatë mund të dalë në pension më shpejt, ndërsa ata që fillojnë të punojnë më vonë do të duhet të punojnë më gjatë.

Ky sistem mund të ndikojë veçanërisht tek të rinjtë që studiojnë dhe përfundojnë universitetin, pasi ata zakonisht fillojnë punën më vonë sesa ata që nisin të punojnë menjëherë pas shkollës.

Ministrja Bas ka theksuar se të dy modelet do të diskutohen në komisionin e pensioneve për të gjetur zgjidhjen më të drejtë dhe të qëndrueshme.

Për ata që kanë lindur pas 1 janarit 1953, mosha e daljes në pension rritet me dy muaj për çdo vit, ndërsa ata që kanë lindur pas 1 janarit 1964 mund të dalin në pension pa reduktim të pensionit kur mbushin moshën 65 vjeç.

Reforma e mundshme synon të krijojë një sistem më fleksibël, ku kontributet individuale të secilit qytetar të ndikojnë më shumë në datën e daljes në pension, duke reflektuar më drejtësi ndërmjet atyre që fillojnë punën herët dhe atyre që fillojnë më vonë./DW/