Aksidenti i autobusit nga Kosova në Gjermani, 35 persona të lënduar dhe 150 mijë euro dëme materiale
Një aksident i rëndë ka ndodhur mbrëmjen e së mërkurës në autostradën A8 në Irschenberg, Gjermani, ku një autobus u përplas me një kamion. Për pasojë, 35 persona u lënduan dhe dëmet materiale arrijnë në rreth 150,000 euro.
Aksidenti ndodhi rreth orës 00:05. Sipas raportit të policisë së autostradës Holzkirchen, një kamion me rimorkio, i ngarkuar me perime dhe i drejtuar nga një 46-vjeçar, po lëvizte në korsinë e djathtë. Papritur, një autobus me 50 pasagjerë u përplas me rimorkion e kamionit nga pas.
Sipas policisë, autobusi ishte ndërkombëtar, me shumicën e pasagjerëve shqiptarë nga Kosova që jetonin në Gjermani. Hetimet paraprake tregojnë se shoferi 49-vjeçar i autobusit e vuri re kamionin shumë vonë dhe, pavarësisht përpjekjes për t’u shmangur, u përplas me pjesën e pasme të rimorkios. Si pasojë, pjesa e përparme e autobusit pësoi dëme të mëdha, shkruan Urgjent.com.
Në vendngjarje mbërritën shërbimet e urgjencës me personel të shumtë, përfshirë zjarrfikës nga Irschenberg, Miesbach dhe Weyarn, disa patrulla policie, dhe një helikopter shpëtimi. Për shkak të numrit të madh të të plagosurve, një pikë grumbullimi u ngrit në ambientet e zjarrfikësve vullnetarë të Irschenbergut për të ofruar trajtim mjekësor.
Numri i të plagosurve fillimisht ishte i paqartë për shkak të situatës dinamike, por u konfirmua në 35 persona. Ndër ta ishin edhe nëntë fëmijë e adoleshentë, prej të cilëve shtatë pësuan lëndime të lehta. Dy fëmijë të tjerë mbetën të padëmtuar.
Nga të gjithë të plagosurit, një person u dërgua në spital me lëndime të rënda, por pritet të dalë së shpejti. Pjesa më e madhe e pasagjerëve pësuan mavijosje dhe gërvishtje.
Autostrada u mbyll plotësisht në drejtim të Mynihut për rreth dy orë për të lejuar shërbimet e emergjencës të kryenin punën e tyre dhe për të nxjerrë automjetet e dëmtuara. Pasagjerët që nuk kishin pësuar dëmtime vazhduan udhëtimin e tyre me një autobus zëvendësues, i cili u dërgua menjëherë nga kompania e autobusit.
Ndërsa shkaku i saktë i aksidentit është ende nën hetim, policia ka përjashtuar mundësinë e defekteve teknike. Kamioni arriti të lëvizte deri në një parking, ku ngarkesa e tij u transferua në një mjet tjetër.
Komandanti i operacioneve theksoi bashkëpunimin e mirë dhe profesional të të gjitha ekipeve të shpëtimit. Falë ndërhyrjes së shpejtë, u siguruar kujdesi i menjëhershëm mjekësor për të gjithë të prekurit.