Aksident i rëndë në Gjermani: 20 të plagosur, disa rëndë – autobusi po udhëtonte drejt Vjenës
Një aksident i rëndë ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të së premtes në autostradën A19 në Gjermani, ku një autobus i kompanisë Flixbus me 55 persona në bord ka dalë nga rruga dhe është përmbysur.
Si pasojë e aksidentit, 20 persona kanë mbetur të plagosur, disa prej tyre në gjendje të rëndë.
Sipas policisë së Rostockut, autobusi ishte duke udhëtuar nga Kopenhageni drejt Vjenës dhe mbante 53 pasagjerë dhe dy shoferë. Fatmirësisht, të dy shoferët nuk kanë pësuar lëndime. Aksidenti ndodhi rreth orës 2:40 të mëngjesit, pak pas kryqëzimit të Röbel në drejtim të Berlinit.
Një nga të plagosurit mbeti i bllokuar në autobus për rreth dy orë, duke pësuar lëndime të rënda. Autoritetet nuk kanë dhënë ende detaje të plota mbi gjendjen e të lënduarve, por raportohet se disa ndodhen në gjendje serioze.
Shkaku i aksidentit mbetet ende i paqartë. Zyra e prokurorit publik ka caktuar një ekspert për të hetuar rrethanat e ngjarjes. Autostrada A19 në drejtim të Berlinit pritet të qëndrojë e mbyllur deri të paktën në orën 12:00 të mesditës.
Në vendin e ngjarjes ndodhen forca të shumta policore, ekipe të shpëtimit, zjarrfikës si dhe një helikopter për emergjenca. Pasagjerët që nuk u lënduan janë transportuar me autobus në qytetin Röbel.
Zyrtarët gjermanë kanë theksuar se pasagjerët vinin nga vende të ndryshme, ndërsa hetimet për shkaqet e aksidentit po vazhdojnë.