17-vjeçari nga Kosova që plagosi mësuesen në Gjermani, jashtë rrezikut për jetën

08.09.2025

Tre ditë pas sulmit me thikë në një kolegj profesional në Essen, atmosfera në shkollë vazhdon të jetë e rënduar.

Policia e Bochum ka konfirmuar të hënën (8 shtator) se 17-vjeçari nga Kosova, i dyshuar si autor i sulmit, nuk është më në rrezik për jetën.

Ngjarja ndodhi të premten, më 5 shtator, kur i riu plagosi rëndë një mësuese brenda shkollës. Pas sulmit, ai tentoi të arratisej, por u qëllua nga policia në një zonë të gjelbër në qendër të Essenit. Për të siguruar paanshmëri në hetime, rasti i përdorimit të armës nga policia po trajtohet nga departamenti i Bochum-it.

Atmosferë e rënduar në kolegj

Të hënën në mëngjes, procesi mësimor nuk nisi si zakonisht. Stafi pedagogjik u mblodh së bashku me drejtorin e arsimit të qytetit, Mukhtar Al Ghusain, dhe ekspertë të këshillimit psikologjik për të diskutuar situatën dhe për të mbështetur nxënësit. Vetëm pas orës 8:30, mësimet rifilluan me një ritëm të kufizuar.

Sipas informacioneve jozyrtare, 17-vjeçari kosovar kishte vetëm dy javë që ndiqte këtë shkollë profesionale me synimin për të përfunduar diplomën e shkollës së mesme. Prokuroria nuk ka konfirmuar këto të dhëna dhe as nuk ka dhënë ndonjë informacion për motivet e mundshme të sulmit.

Gjendja e mësueses

Mësuesja e plagosur iu nënshtrua një ndërhyrjeje urgjente në Spitalin Universitar të Essenit. Autoritetet kanë bërë të ditur se edhe pse lëndimet ishin serioze, jeta e saj tashmë është jashtë rrezikut.

Ky rast ka shkaktuar tronditje të madhe në qytetin gjerman dhe ka hapur diskutime të reja për sigurinë në shkolla.