Shkatërrohet rrjet kriminal shqiptar në Belgjikë: 13 arrestime dhe një laborator droge i zbuluar
Në një goditje të fortë kundër krimit të organizuar, policia belge ka shkatërruar një rrjet kriminal shqiptar të përfshirë në trafikun e drogës.
Operacioni i madh, i cili u zhvillua këtë javë në zonën metropolitane të Lièges, çoi në arrestimin e 13 personave dhe zbulimin e një laboratori droge sintetike.
Hetimet, të cilat kanë zgjatur më shumë se një vit, kanë treguar se ky rrjet kriminal operonte jo vetëm në Belgjikë, por edhe në vende të tjera të Benelux-it si Luksemburg, Bruksel dhe Holandë. Policia gjyqësore e Lièges dhe shërbime të ndryshme të policisë federale kanë kryer 18 kontrolle në këtë kuadër.
Gjatë operacionit, policia ka çmontuar një plantacion kanabisi dhe ka zbuluar një magazinë që shërbente si një laborator për prodhimin e drogës sintetike. Përveç arrestimeve, janë sekuestruar sasi të konsiderueshme droge, lëndë kimike të përdorura për prodhimin e drogës, një armë, 30.000 euro në para të gatshme, tre automjete dhe produkte luksoze.
Pas dëgjimit, shtatë nga personat e arrestuar janë vendosur nën arrest, ndërsa katër të tjerë janë akuzuar. Dy individë janë dërguar në një qendër të mbyllur. Kjo goditje e fortë e policisë belge dëshmon angazhimin e tyre për të luftuar krimin e organizuar dhe për të mbrojtur sigurinë e qytetarëve.