Kroaci, tentativa e vrasjes së 26-vjeçarit nga Kosova, policia kroate jep detaje
Një incident i rëndë ka ndodhur të enjten në një kantier ndërtimi në zonën e Trogirit, ku një 23-vjeçar kroat dyshohet se ka tentuar të vrasë një 26-vjeçar shtetas të Kosovës.
Policia kroate ka konfirmuar se ekziston dyshimi i arsyeshëm për këtë vepër penale të rëndë.
Ngjarja ka nisur me një përleshje verbale mes dy hidraulikëve kroatë (njëri prej tyre 23 vjeç) dhe 26-vjeçarit shqiptar, i cili gjithashtu punonte në kantier. Më pas, dy kroatët kanë hipur në makinën e tyre dhe kanë goditur 26-vjeçarin, duke vazhduar më pas drejtimin pa ndaluar.
Në tentativë për t’i ndaluar, 26-vjeçari ka dalë në mes të rrugës me një levë në dorë. Në këtë moment, drejtuesi i mjetit e ka goditur me makinë, duke e ngritur mbi kapotën e saj dhe duke e transportuar për disa dhjetëra metra derisa ai ka rënë. Pavarësisht kësaj, dy kroatët nuk janë ndalur, por kanë vazhduar rrugën derisa janë ndaluar dhe arrestuar nga policia pranë urës së re në Trogir.
Policia e Split-Dalmacisë ka njoftuar se pesë persona janë përfshirë në këtë incident, duke shkelur rendin dhe qetësinë publike. Përveç 23-vjeçarit kroat, të përfshirë ishin edhe tre shtetas të Kosovës (të lindur në vitet 1975 dhe 2000) dhe një tjetër 20-vjeçar kroat. Tre prej tyre, dy kosovarët dhe 20-vjeçari kroat, do të dërgohen sot në gjykatë.
Ndërkohë, policia ka konstatuar se 23-vjeçari kroat ka kryer elementet e veprës penale të “Vrasjes së mbetur në tentativë” dhe do të dërgohet në mbikëqyrjen e paraburgimit me kallëzim penal.
Sa i përket 26-vjeçarit të plagosur, ai është dërguar menjëherë në spital, ku është konstatuar se ka pësuar një dëmtim të rëndë fizik në këmbë.
Autoritetet kroate kanë njoftuar gjithashtu se në lidhje me shtetasit e Kosovës që ishin pjesë e përleshjes, do të ndërmerren procedurat e nevojshme në bashkëpunim me Inspektoratin Shtetëror, në përputhje me Ligjin për të Huaj dhe Ligjin e Punës. Ky incident i rëndë ka ngjallur shqetësim dhe pritet të ndiqet nga afër nga opinioni publik.