Kulla e Ramë Bllacës në gjendje alarmante: Një simbol i neglizhencës institucionale

para 4 dite

Kulla e Ramë Bllacës, një monument i rëndësishëm historik dhe simbol i rezistencës shqiptare, po përballet me një fat të zymtë.

Kulla e Ramë Bllacës në gjendje alarmante: Një simbol i neglizhencës institucionale Foto: teve1

Ndonëse është nën mbrojtjen e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS) dhe është përfshirë në listën e trashëgimisë kulturore, kjo kullë po degradon në mënyrë alarmante.

Ndërtuar në vitet ’30 të shekullit të kaluar nga veprimtari i çështjes kombëtare, Ramë Bllaca, si një shenjë e rezistencës ndaj politikës së kolonizimit serb, kulla sot është një dëshmi e neglizhencës institucionale. Pavarësisht premtimeve të shumta të zyrtarëve të lartë, përfshirë kryetarin e komunës së Suharekës dhe ministrin e kulturës, restaurimi i kësaj kulle ka mbetur vetëm në letër.

Historianët dhe aktivistët e trashëgimisë kulturore ngrenë alarmin për gjendjen e mjerueshme në të cilën ndodhet kulla. Shkallët e hyrjes janë të thyer, dhomat janë të mbushura me mbeturina, muret janë të çara, dhe përgjithësisht, kulla jep një pamje të një ndërtese të braktisur dhe të harruar.

Kjo situatë është e papranueshme, pasi kulla e Ramë Bllacës nuk është vetëm një ndërtesë, por një simbol i një epoke të rëndësishme të historisë së Kosovës. Ajo përfaqëson sakrificën dhe guximin e një gjenerate që luftoi për të mbrojtur identitetin dhe tokën e vet.

Edhe pse MKRS ka deklaruar se kulla është nën mbrojtjen e saj dhe se janë ndërmarrë hapa për restaurimin e saj, rezultatet në terren flasin vetë. Premtimet e bëra nga zyrtarët e lartë kanë mbetur vetëm premtime, dhe kulla vazhdon të degradojë me një shpejtësi alarmante.

Kjo situatë ngre pyetje serioze rreth seriozitetit me të cilin institucionet e shtetit trajtojnë trashëgiminë kulturore. Ajo gjithashtu dëshmon për mungesën e vullnetit politik për të mbrojtur dhe ruajtur një nga simbolet më të rëndësishme të identitetit kombëtar.

Si qëndron situata?

Më 5 shkurt 2019 Kryetari i Komunës së Suharekës, Bali Muharremaj përmes një shkrimi në Facebook kishte njoftuar se shtëpia kullë e veprimtarit Ramë Bllaca do të restaurohet.

“Angazhimi ynë është serioz dhe jemi të interesuar që ai projekt të përfundoj dhe të ketë respektin e merituar, duke qenë i vizituar në të ardhmen nga gjeneratat e ardhshme dhe turistët, për tu njohur me historinë tonë”, kishte shkruar asokohe Muharemaj.

Dhe jo vetëm kaq, në kuadër të Drejtorisë për Kulturë, Rini, Sport dhe Mërgatë, restaurimi i kullës “Ramë Bllaca” ishte edhe në planin e punës së kryetarit Muharremaj për vitin 2019.

Jo vetëm Muharremaj, por edhe ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit në Qeverinë Haradinaj, Kujtim Gashi, në qershor të  vitit 2019 kishte thënë se “Së shpejti do të fillojë restaurimi i kullës së patriotit, atdhetarit dhe personalitetit të shquar Ramë Bllaca.

Gashi kishte thënë se se në fshatin Bllacë të komunës të Suharekës ende është në këmbë shtëpia e personalitetit të njohur shqiptar, Ramë Ballaca.“Rama Bllaca ishte patriot, intelektual i mirëfilltë, politikan i spikatur si dhe trim i vërtetë i kohës, në kuadër të rrethanave politiko-shoqërore, ekonomike e sociale në të cilën ai jetoi.

E siç duket realizimi i këtij projekti ka mbetur peng nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit. Të paktën kështu kishte bërë të ditur i pari i Suharekës, Bali Muharremaj.

Në një përgjigje me shkrim të kryetarit Muharremaj në vitin 2020 thuhej se Komuna e Suharekës ka nënshkruar Memorandum të Mirëkuptimit me Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, për hartimin dhe zbatimin e Projektit “Kulla e Ramë Bllacës”, ku mes tjerash parashihej që Komuna e Suharekës të bashkëfinancoj me 15,000.00 euro ndërsa Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit me 20,000.00 euro. 

Memorandumi ishte nënshkruar në vitin 2019.

Përgjegjësinë për zbatimin e këtij projekti e ka marrë përsipër Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, sepse konsiderohet si objekt i rëndësisë së veçantë. 

Edhe më tutje rreth kësaj, përgjegjësinë rreth këtij projekti zbatimin e ka obligim ministria, ndërkohë ne si institucione komunale e kemi pasur buxhetin e planifikuar, kishte thënë Muharremaj.  

Edhe pse kryetari Muharremaj i kishte në plan të punës për vitin 2020, Qeveria Hoti nuk kishte ndarë asnjë mjet për realizimin e projektit. Në bazë të projekt-buxhetit Qeveria Hoti kishte planifikuar që për kullën e Ramë Bllacës në vitin 2021 të ndajë 20,000 euro dhe për vitin 2022 -15,000 euro.

Pas gjithë kësaj sage vite më parë ishte bërë restaurimi i jashtëm, mirëpo gjendja e brendshme është e mjerueshme, ku shkallët në hyrje të kullës janë thyer.Ndërsa dhomat e katit të poshtëm janë mbushur me mjete shtëpiake. Të dëmtuara mbeten edhe muret e brendshme të kësaj kulle.

Etiketat

Ofertat e fundit