Trump premton më shumë armë për Ukrainën: “Ata duhet të mbrohen”
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka deklaruar se SHBA-ja do të dërgojë më shumë armë në Ukrainë, për ta ndihmuar në mbrojtjen kundër sulmeve të vazhdueshme ruse.
Do të dërgojmë më shumë armë. Na duhet. Ata duhet të jenë në gjendje të mbrohen. Tani po goditen shumë rëndë”, tha Trump para gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë, duke theksuar se ndihma do të përfshijë kryesisht armatim mbrojtës.
Deklarata e tij përmbys njoftimin e mëparshëm të Pentagonit, që paralajmëronte ndalim të përkohshëm të disa dërgesave për shkak të mungesave në rezervat amerikane.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka theksuar nevojën për më shumë sisteme Patriot, që i konsideron jetike për mbrojtjen e qyteteve nga sulmet ajrore ruse. Pas një bisede me Trumpin më 4 korrik, dy liderët u dakorduan të forcojnë aftësitë mbrojtëse të Ukrainës, përfshirë bashkëpunimin në prodhim dhe investime në fushën e mbrojtjes.