Sot varrimi i Papa Françeskut në Romë, mbi 200 mijë besimtarë i japin nderimet e fundit
Sot, Bota Katolike dhe liderë nga e gjithë globi i japin lamtumirën e fundit Papa Françeskut në një ceremoni madhështore varrimi në Romë
Trupi i tij do të prehet në Bazilikën “Santa Maria Maggiore”, një nga kishat më të rëndësishme mariane në kryeqytetin italian.
Meshën funebre në Sheshin e Shën Pjetrit po e kryeson Kardinali Giovanni Battista Re, duke mbledhur rreth vetes anëtarë mbretërorë, presidentë, kryeministra dhe një numër të jashtëzakonshëm besimtarësh që kanë ardhur për t’i bërë nderimet e fundit Atit të Shenjtë.
Sipas raportimeve të shumta nga mediat ndërkombëtare, pritet që mbi 200 mijë njerëz të marrin pjesë në këtë ditë zie dhe respekti për figurën e Papa Françeskut.
Në mesin e personaliteteve të larta shtetërore që do të jenë të pranishëm në ceremoni është edhe Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani.
Varrimi i Papa Françeskut në Bazilikën “Santa Maria Maggiore” është një zgjedhje simbolike, duke e lidhur kujtimin e tij me një nga faltoret më të dashura për besimtarët katolikë në Romë. Kjo bazilikë ka një histori të gjatë dhe të pasur dhe konsiderohet si një vend i shenjtë me rëndësi të veçantë shpirtërore.
Dita e sotme shënon kulmin e homazheve për Papa Françeskun, pas ditësh të tëra ku besimtarët nga e gjithë bota kanë kaluar për të shprehur ngushëllimet dhe respektin e tyre. Varrimi i tij është një moment historik dhe një humbje e madhe për Kishën Katolike dhe për mbarë njerëzimin.