Osmani në Berlin: Kosova, dëshmi e gjallë se shpresa mund të lindë nga plagët e luftës
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka mbajtur një fjalim frymëzues në kuadër të forumit prestigjioz “The Humboldt Speeches on Europe”, i cili po zhvillohet në Berlin dhe mbledh krerë shtetesh nga e gjithë Evropa për të diskutuar mbi të ardhmen e kontinentit.
Në fjalën e saj, Presidentja Osmani ka theksuar se Kosova nuk është vetëm një shtet i ri, por një histori e gjallë e qëndrueshmërisë dhe e shpresës. Ajo ka vënë në pah se përmes besimit dhe forcës së qytetarëve të saj, vendi ka arritur të rindërtojë dritën nga plagët e luftës.
“Ishte nder të flas sot në kuadër të ‘The Humboldt Speeches on Europe’, një forum prestigjioz për krerë shtetesh nga Evropa, ku fola për Kosovën tonë – jo thjesht si një shtet të ri, por si një dëshmi e gjallë se besimi, qëndrueshmëria dhe forca e qytetarëve mund të ndërtojnë dritë edhe nga plagët e luftës”, ka shkruar Presidentja Osmani.
Sipas saj, Kosova sot përfaqëson një histori të demokracisë që triumfon, të vlerave që bashkojnë dhe të shpresës që forcon Evropën.
“Në këtë ndërtesë historike, në zemër të Berlinit, Kosova u paraqit si një histori e demokracisë që triumfon, e vlerave që bashkojnë dhe e shpresës që e bën Evropën më të fortë, më humane dhe më të bashkuar”, ka theksuar Osmani gjatë fjalimit të saj.
Forumi “The Humboldt Speeches on Europe” konsiderohet një nga platformat më të njohura në Gjermani, ku liderë evropianë diskutojnë për sfidat aktuale dhe vizionin për të ardhmen e Evropës.
Ky paraqitje e Presidentes Osmani në Berlin vjen si një tjetër dëshmi e rolit aktiv të Kosovës në arenën ndërkombëtare, duke e pozicionuar vendin si pjesë të rëndësishme të dialogut evropian për paqe, demokraci dhe bashkëpunim.