Putin paralajmëron Perëndimin: Rusia është gati për luftë bërthamore

13.03.2024

Vladimir Putin paralajmëroi të mërkurën Perëndimin se Rusia është teknikisht gati për luftë bërthamore dhe se nëse SHBA dërgonte trupa në Ukrainë, kjo do të konsiderohej një përshkallëzim i rëndësishëm i luftës, raporton Reuters.

Putin paralajmëron Perëndimin: Rusia është gati për luftë bërthamore Foto: Ilustrim

Pak ditë para zgjedhjeve të 15-17 marsit, të cilat me siguri do t’i japin atij 6 vjet të tjera në pushtet, Putin tha se nuk po “nxiton” me skenarin e luftës bërthamore dhe se nuk e sheh nevojën për t’i përdorur ato në Ukrainë.

“Nga pikëpamja ushtarako-teknike, ne sigurisht jemi gati,” tha Putin për televizionin Rossiya-1 dhe agjencinë e lajmeve RIA në përgjigje të një pyetjeje nëse vendi ishte vërtet gati për një luftë bërthamore. Putin tha se SHBA-të e kuptojnë se nëse vendosin trupa amerikane në territorin rus, ose në Ukrainë, Rusia do ta trajtonte këtë veprim si një ndërhyrje.

“(Në Shtetet e Bashkuara) ka mjaft specialistë në fushën e marrëdhënieve ruso-amerikane dhe në fushën e kufizimit strategjik. Prandaj, nuk mendoj se këtu gjithçka po nxiton drejt saj (konfrontimi bërthamor), por ne jemi gati për këtë.”, tha Putin.

Lufta në Ukrainë ka shkaktuar krizën më të thellë në marrëdhëniet e Rusisë me Perëndimin që nga kriza e raketave Kubane e vitit 1962 dhe Putini ka paralajmëruar disa herë se Perëndimi rrezikon të provokojë një luftë bërthamore nëse dërgon trupa për të luftuar në Ukrainë.

Putin dërgoi dhjetëra mijëra trupa në Ukrainë në shkurt 2022, duke shkaktuar luftë në shkallë të plotë pas tetë vjet konflikti në Ukrainën lindore midis forcave ukrainase nga njëra anë dhe ukrainasve pro-rusë dhe përfaqësuesve rusë nga ana tjetër.

Udhëheqësit perëndimorë kanë premtuar të mposhtin Rusinë në Ukrainë, por pas dy vitesh lufte, forcat ruse kontrollojnë pak më pak se një të pestën e territorit ukrainas.

Në një vit zgjedhor në SHBA, Perëndimi po lufton se si të mbështesë Kievin kundër Rusisë. Kievi thotë se po mbrohet kundër një lufte pushtuese të stilit perandorak, e krijuar për të fshirë identitetin e tij kombëtar ndërsa Rusia thotë se zonat që ajo kontrollon në Ukrainë tani janë të sajat.