Ukraina godet terminalin e naftës në Shën Petersburg, Zelensky konfirmon sulmin
Një terminal nafte në portin e Shën Petersburgut është goditur nga një sulm me dronë ukrainas në orët e para të së shtunës, sipas autoriteteve ruse.
Foto: Ilustrim
Guvernatori i Shën Petersburgut, Aleksandr Beglov, deklaroi se mbrojtja ajrore rrëzoi 72 dronë mbi qytet, ndërsa njëri prej tyre goditi terminalin e naftës në distriktin Kirovsky. Ai tha se pasojat janë menaxhuar dhe nuk raportohet për viktima.
Nga ana tjetër, presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, e konfirmoi operacionin, duke bërë të ditur se Forcat e Mbrojtjes së Ukrainës goditën infrastrukturën portuale të naftës pranë qytetit, e cila sipas tij gjeneron të ardhura për luftën e Rusisë. Ai shtoi se janë kryer edhe sulme ndaj objektivave ushtarake në Kronstadt, rreth 850 kilometra larg kufirit ukrainas.
Ndërkohë, Ministria ruse e Mbrojtjes pretendoi se gjatë natës ka rrëzuar ose neutralizuar gjithsej 389 dronë ukrainas mbi rajone të ndryshme të Rusisë, si dhe mbi Krimenë e aneksuar, Detin Azov dhe Detin e Zi.
