Macron: Evropa duhet të jetë gati për luftë nëse dëshiron paqe

15.03.2024

Evropa duhet të përgatitet për luftë nëse dëshiron paqe, ka thënë presidenti francez Emmanuel Macron.

Macron: Evropa duhet të jetë gati për luftë nëse dëshiron paqe Foto: Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, REUTERS

Në një intervistë në televizionin kombëtar francez, Macron theksoi se Rusia e Vladimir Putinit ishte një kundërshtar që nuk do të ndalej në Ukrainë nëse do të mundte trupat e Kievit.

“Nëse Rusia fiton këtë luftë, besueshmëria e Evropës do të zvogëlohet në zero”, citohet të ketë thënë Macron, shkruajnë mediat e huaja.

Ai shtoi: “Nëse lufta përhapet në Evropë, Rusia do të ishte fajtore”.

“Por nëse vendosim të jemi të dobët, nëse vendosim sot që të mos përgjigjemi, do të ishte zgjedhja e humbjes tashmë. Dhe unë nuk e dua këtë”.

Ai vazhdoi duke thënë se siguria e Evropës ishte “në rrezik në Ukrainë”.

Macron theksoi se është e rëndësishme që Evropa të mos vizatojë vija të kuqe, të cilat do të sinjalizojnë dobësi për Kremlinin dhe do ta inkurajojnë atë të vazhdojë me pushtimin e saj në Ukrainë.

Por ai refuzoi të jepte detaje se si mund të dukej një dislokim në Ukrainë.

Macron gjithashtu përsëriti qëndrimin e tij për dërgimin e trupave perëndimore në Ukrainë, gjë e cila sipas tij, nuk duhet të përjashtohet, por shtoi se situata e sotme nuk e kërkon këtë.

“Nuk jemi në atë situatë sot”, tha ai, por shtoi se “të gjitha këto opsione janë të mundshme”.