Amerika prek rekord të shitjes së armëve

30.01.2024

Shitja e armëve amerikane në shtetet e jashtme është rritur dukshëm vitin e kaluar.

Amerika prek rekord të shitjes së armëve Foto: Ekipi ushtarak qëndrojnë me armë në mur betoni dhe përgatiten për betejë me armikun në fushë, Nrradmin.

Ajo ka prekur rekordin prej 238 miliardë dollarësh gjatë 2023-ës, pasi që pushtimi i Ukrainës nga Rusia ka shtuar kërkesën.

Qeveria amerikane direkt ka negociuar 81 miliardë në shitje, që përbën 56 përqind rritje nga viti paraprak, ka njoftuar Departamenti i Shtetit, raporton BBC.

Fqinji i Ukrainës, Polonia, që aktualisht është rrugës për ta zgjeruar ushtrinë, ka bërë një prej përpjekjeve më të mëdha. Shteti polak ka blerë helikopterë Apache prej 12 miliardë dollarësh, po ashtu për raketat Himars ka shpenzuar 10 miliardë dhe gjithashtu 3.75 miliardë dollarë për tanket Abrams M1A1, ka njoftuar DASH në raportin e vitit fiskal të qeverisë, i cili është mbyllur në tetor. 4 miliardë të tjera janë shpenzuar për sistemet e integruara të komandës së betejës së mbrojtjes ajrore dhe raketore.

Gjermania, gjithashtu, ka shpenzuar 8.5 miliardë për helikopterët Chinool. Bullgaria ka paguar 1.5 miliardë për veturat e blinduara derisa Norvegjia ka shpenzuar 1 miliard për helikopterë multimisionësh, transmeton KlanKosova.tv.

Jashtë Evropës, raporti i armëve shfaq që Koreja e Jugut ka shpenzuar 5 miliardë për avionët F-35, Australia 6.3 miliardë për aeroplanët Super Hercules C130J-30. Japonia ka arritur marrëveshje njëmiliardhëshe për aeroplanët E-2D, Hawkeye.