AfD kategorizohet si “rast i dyshimtë i ekstremizmit të djathtë”, vëzhgim i përhershëm nga shërbimet sekrete

02.05.2025

Partia Alternativa për Gjermaninë (AfD) është kategorizuar zyrtarisht nga Zyra për Mbrojtjen Kushtetuese si “një rast i dyshimtë i ekstremizmit të djathtë”.

Ky vendim, i bazuar në një raport prej më shumë se 1000 faqesh, shënon një kthesë të rëndësishme në politikën gjermane dhe mund të ketë pasoja të mëdha për të ardhmen e AfD-së.

Zyra Federale për Mbrojtjen Kushtetuese ka konstatuar se AfD “ka synime ekstremiste të djathta, që orientohen kundër sistemit demokratik dhe lirive”. Ndryshe nga vlerësimet e mëparshme që synonin grupe të veçanta brenda AfD-së, ky është rasti i parë që e gjithë partia klasifikohet si e tillë. Raporti detajon angazhimet dhe veprimet e AfD-së që bien ndesh me vlerat njerëzore, shtetin ligjor dhe parimet e demokracisë.

Çfarë do të thotë kjo?

Kategorizimi si “rast i dyshimtë” do të thotë se AfD do të jetë nën vëzhgim të përhershëm nga shërbimet sekrete gjermane. Ekziston mundësia e përdorimit të mjeteve të shërbimeve sekrete për të vlerësuar aktivitetet e partisë. Në një fazë të mëvonshme, mund të ngrihet edhe kërkesa për ndalimin e AfD-së para Gjykatës Kushtetuese. Megjithatë, vetë kategorizimi nuk çon automatikisht në nisjen e procedurave për ndalim.

Procedura për ndalimin e një partie në Gjermani është e gjatë dhe e ndërlikuar, dhe shpesh përfundon pa sukses.

AfD ka reaguar ashpër ndaj raportit, duke e quajtur atë një “keqpërdorim të paprecedent të pushtetit”. Priten reagime të tjera nga partia në ditët në vijim.

Ky zhvillim vjen në një kohë kur AfD po shënon rritje të konsiderueshme në sondazhet e opinionit publik. Sipas sondazheve të fundit, AfD është partia me mbështetjen më të madhe në Gjermani, me rreth 26%, duke kaluar edhe CDU-në e kancelarit të ardhshëm Friedrich Merz, e cila ka rënë në rreth 25%. Kategorizimi si “rast i dyshimtë” mund të ndikojë në mbështetjen popullore të partisë, por edhe mund të radikalizojë bazën e saj elektorale.