Morinë, arrestohet 30-vjeçari nga Presheva i kërkuar nga Austria për trafik droge
Policia kufitare në Morinë ka vënë në pranga një 30-vjeçar nga Presheva, i cili ishte i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet austriake për trafikim të lëndëve narkotike.
Shtetasi O.K., 30 vjeç, u ndalua gjatë kontrolleve rutinë në pikën kufitare të Morinës, si rezultat i analizës së riskut dhe bashkëpunimit të Policisë kufitare me specialistët e Seksionit kundër narkotikëve dhe trafiqeve të paligjshme të DVP Kukës.
Pas verifikimeve të detajuara dhe intervistimit, u konfirmua se 30-vjeçari ishte i kërkuar nga autoritetet austriake për trafik droge.
Policia ka njoftuar se Interpol Tirana po bashkëpunon me Interpol Vjenën për të kryer procedurat e ekstradimit të tij në Austri.
Policia kufitare e Shqipërisë vijon kontrollet e shtuara për parandalimin e krimeve në kufi dhe ndalimin e personave të shpallur në kërkim ndërkombëtar.