AI po ndryshon tregun e punës: Rritet kërkesa për shkencëtarë të të dhënave, bien vendet e punës në futjen e të dhënave
Zhvillimi i shpejtë i inteligjencës artificiale (AI) po shoqërohet me ndryshime në tregun e punës, ku disa profesione po shënojnë rritje, ndërsa të tjera po përballen me rënie të numrit të të punësuarve.
Sipas të dhënave të Byrosë Amerikane të Statistikave të Punës (BLS), punësimi në fushën e shkencës së të dhënave në SHBA është rritur për 36 për qind nga maji i vitit 2023 deri në maj të vitit 2025.
Rritje është regjistruar edhe në profesione të tjera, përfshirë punëtorët e ndërtimit me 8 për qind, inxhinierët elektrikë me 7 për qind dhe elektricistët me 6 për qind. Ndërkohë, rritja mesatare e punësimit në të gjitha profesionet gjatë kësaj periudhe ishte 2 për qind.
Në anën tjetër, rënia më e madhe është vërejtur te punonjësit që merren me futjen e të dhënave, ku numri i të punësuarve ka rënë për 18 për qind.
Rënie është shënuar edhe te instaluesit e pajisjeve të telekomunikacionit me 12 për qind, përfaqësuesit e shërbimit ndaj klientëve dhe punonjësit e kontabilitetit me nga 9 për qind, si dhe sekretarët me 4 për qind.
Të dhënat tregojnë ndryshimet në punësim gjatë periudhës së zgjerimit të përdorimit të inteligjencës artificiale. Megjithatë, ato nuk dëshmojnë se të gjitha këto ndryshime janë shkaktuar drejtpërdrejt nga AI, pasi në to ndikojnë edhe faktorë të tjerë ekonomikë.
