Presion dhe përfitime të paligjshme, arrestohen dy të dyshuar për fajde në Suharekë

06.06.2026

Dy persona janë arrestuar në Suharekë nën dyshimin për veprën penale të fajdesë, pas një hetimi disa vjeçar të zhvilluar nga Policia e Kosovës në bashkëpunim me Prokurorinë Themelore në Prizren.

Sipas informacioneve të publikuara, të dyshuarit me inicialet B.K. dhe H.T. dyshohet se që nga viti 2021 kanë ushtruar presion të vazhdueshëm ndaj dy viktimave, me qëllim përfitimin e kundërligjshëm përmes veprimtarisë së fajdesë.

Hetimet tregojnë se viktimave u janë shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale, duke u detyruar të ndërmarrin veprime në dëm të pasurisë së tyre.Më 5 qershor 2026, policia ka arrestuar të dyshuarit dhe ka kryer kontroll në shtëpinë dhe objektet përcjellëse të njërit prej tyre.

Edhe pse gjatë bastisjes nuk janë gjetur sende të dyshimta që lidhen me rastin, hetimet kanë vazhduar bazuar në provat e siguruara më herët.

Me vendim të Prokurorit të Shtetit, njëri nga të dyshuarit është ndaluar për 48 orë dhe është dërguar në Qendrën e Mbajtjes, ndërsa i dyshuari tjetër është liruar në procedurë të rregullt. Rasti po hetohet për veprën penale “Fajde”.