Policia gjen pesë zolla në afërsi të Manastirit të Banjskës, dyshohet se i përkasin grupit të Radoiçiqit

06.03.2024

Policia e Kosovës, e ka gjetur një sasi të armatimit afër Manastirit të Banjskës, në Zveçan.

Policia gjen pesë zolla në afërsi të Manastirit të Banjskës, dyshohet se i përkasin grupit të Radoiçiqit Foto: Policia e Kosovës në afërsi të Manastirit të Banjskës, zolla e konfiskuar në ngjarjet e shtatorit /FOTO : Telegrafi/

Veton Elshani, zëvendësdrejtor i Policisë në veri ka deklaruar për Telegrafin se bëhet fjalë për pesë “zolla”.

Këtë armatim Policia e Kosovës e ka gjetur gjatë kryerjes së detyrave të përditshme.

“Në afërsi të Manastirit të Banjskës në Zveçan janë gjetur pesë zolla. Mjetet ushtarake dyshohet se i përkasin ngjarjeve të shtatorit të vitit të kaluar”, ka deklaruar Elshani për Telegrafin.

Hetimet janë duke vazhduar.

Më 24 shtator të vitit 2023, në Banjskë të Zveçanit, një grup terrorist nga Serbia në krye me kriminelin Millan Radoiçiq, e kishin sulmuar Policinë e Kosovës, duke e lënë të vdekur rreshterin Afrim Bunjaku.

Policia e Kosovës iu kundërpërgjigj këtij sulmi duke i vrarë tre pjesëtarë të grupit terrorist.

Milan Radoiçiq arriti të ikë në Serbi, ai e pranoi se kishte qëndruar prapa këtij sulmi.