Nis numërimi i votave të diasporës, mbi 22 mijë bashkatdhetarë votuan në ambasada dhe konsullata
Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR) ka nisur zyrtarisht procesi i numërimit të votave të diasporës të hedhura fizikisht në përfaqësitë diplomatike të Republikës së Kosovës jashtë vendit.
Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Valmir Elezi, i cili bëri të ditur se në këtë fazë po numërohen fletëvotimet e ardhura nga 30 përfaqësi diplomatike në 18 shtete të ndryshme.
Sipas të dhënave zyrtare të KQZ-së, gjithsej 22,560 qytetarë kanë shfrytëzuar të drejtën e votës duke votuar në ambasada dhe konsullata gjatë procesit zgjedhor.
Procesi i numërimit po zhvillohet nën monitorimin e vëzhguesve të partive politike dhe organizatave vendore e ndërkombëtare, me qëllim garantimin e transparencës dhe integritetit të procesit.
Rezultatet e votave të diasporës pritet t’i shtohen rezultatit të përgjithshëm zgjedhor pas përfundimit të numërimit dhe verifikimit të të gjitha kutive të votimit.
