Nënshkruhet kontrata mbi 1.7 milionë euro për renovimin e kazermës së FSK-së në Suharekë

03.05.2026

Ministria e Mbrojtjes ka nënshkruar kontratë për realizimin e projektit të renovimit të objekteve në kazermën e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) në Shirokë të Suharekës, me vlerë prej 1,781,454.75 euro.

Sipas njoftimit zyrtar, projekti synon përmirësimin e kushteve infrastrukturore dhe rritjen e efikasitetit operacional të FSK-së, në përputhje me misionin e saj.

Kontrata është dhënë pas një procedure të hapur të prokurimit, ku kanë aplikuar 17 operatorë ekonomikë, ndërsa vetëm katër janë konsideruar të përgjegjshëm.

Fitues të tenderit janë shpallur “OK Group SH.P.K.” dhe “BM Group SH.P.K.” nga Prizreni, të cilët kanë ofruar çmimin më të ulët të përgjegjshëm.

Fillimisht, vlera e parashikuar për këtë projekt ishte 2,372,000 euro, por kontrata përfundimtare është nënshkruar me një shumë më të ulët, duke sjellë kursime në buxhetin publik.

Punimet pritet të zgjasin 180 ditë dhe do të financohen nga buxheti i konsoliduar i Kosovës. Procesi i prokurimit kishte nisur më 22 maj të vitit të kaluar, ndërsa kontrata është nënshkruar më 30 prill.