Në Suharekë kapen tre persona me marihuanë, kokainë dhe pajisje për paketim të narkotikëve

05.10.2026

Tre persona janë ndaluar nga Policia në Suharekë, pasi gjatë kontrollit në veturën me të cilën po udhëtonin janë gjetur dhe sekuestruar substanca të dyshuara narkotike dhe pajisje që dyshohet se shërbejnë për përgatitjen e tyre.

Rasti ka ndodhur më 3 tetor 2026, rreth orës 18:00, në Suharekë.

Sipas Policisë së Kosovës, në veturë ndodheshin tre të dyshuar meshkuj kosovarë. Gjatë kontrollit, tek të dyshuarit janë gjetur dhe sekuestruar 25.86 gramë substancë e dyshuar narkotike e llojit marihuanë dhe 0.83 gramë substancë e dyshuar narkotike e llojit kokainë.

Po ashtu, Policia ka sekuestruar dy peshore për matjen e substancave narkotike, një grinder për bluarjen e marihuanës, një brisk dhe 63 qese të vogla, të cilat dyshohet se shërbejnë për paketimin e narkotikëve.

Si prova materiale janë sekuestruar edhe tre telefona celularë dhe një shumë parash të gatshme.Me vendim të prokurorit, pas intervistimit, dy nga të dyshuarit janë arrestuar dhe janë dërguar në mbajtje, ndërsa i dyshuari tjetër është liruar dhe rasti do të procedohet në procedurë të rregullt.

Rasti është iniciuar për veprën penale “Posedim i substancave narkotike”.