KRU “Hidroregjioni Jugor” vazhdon shkyçjet në Suharekë për konsumatorët me borxhe
KRU “Hidroregjioni Jugor” Sh.A., Njësia në Suharekë, ka njoftuar se do të vazhdojë aksionin për shkyçjen nga rrjeti i ujësjellësit ndaj konsumatorëve të cilët nuk kanë kryer pagesat për dy ose më shumë fatura të fundit të shërbimeve të ujësjellësit dhe kanalizimit.
Foto: Ilustrim
Sipas njoftimit të kompanisë, masat e shkyçjes do të zbatohen gjatë ditëve në vijim në Komunën e Suharekës, ndërsa konsumatorët janë ftuar që të kryejnë obligimet e tyre financiare në mënyrë që të shmangin ndërprerjen e furnizimit me ujë.
Pagesat mund të realizohen në arkat e kompanisë në zyrat qendrore dhe në arkën e Njësisë së Suharekës, nga e hëna deri të premten, nga ora 08:00 deri në 16:00. Po ashtu, konsumatorët mund të paguajnë përmes aplikacionit E-HRJ, në çdo kohë online, në institucionet mikrofinanciare të autorizuara si dhe përmes transfereve bankare.
KRU “Hidroregjioni Jugor” ka apeluar te qytetarët që t’i përmbushin obligimet e tyre me kohë, duke theksuar se pagesat e rregullta ndihmojnë në ofrimin e shërbimeve më cilësore për të gjithë konsumatorët.
Kompania ka bërë të ditur se pas përfundimit të afatit të njoftuar, ekipet në terren do të vazhdojnë me zbatimin e masave të shkyçjes ndaj konsumatorëve me borxhe të papaguara.
