KPF mban mbledhjen e gjashtë të rregullt – shumica e pikave nuk kalojnë

para 25 dite

Komiteti për Politikë dhe Financa (KPF) i Komunës së Suharekës ka mbajtur mbledhjen e gjashtë të rregullt për këtë vit, nën udhëheqjen e kryesuesit Bexhet Kuqi, ku janë diskutuar çështje me rëndësi për zhvillimin urban, ekonomik dhe planifikimin buxhetor të komunës.

KPF mban mbledhjen e gjashtë të rregullt – shumica e pikave nuk kalojnë

Në rendin e ditës ishin katër pika kryesore:

1. Miratimi i procesverbalit nga mbledhja e kaluar;

2. Shqyrtimi i projekt-Rregullores për bonuset e zonimit për Komunën e Suharekës;

3. Shqyrtimi i projekt-vendimit për hapjen e shqyrtimit publik të Planit Rregullues të Hollësishëm për Zonën Ekonomike në Duhël;

4. Shqyrtimi i projekt-vendimit për Kornizën Afatmesme Buxhetore (KAB) për periudhën 2026–2028.

Megjithatë, sipas njoftimit të anëtarit të KPF-së nga radhët e LVV-së, Liridon Fandaj, në këtë mbledhje vetëm pika e parë – miratimi i procesverbalit – ka kaluar, ndërsa të gjitha pikat tjera kanë dështuar të miratohen.

“Ky dështim tregon mungesë serioziteti dhe përgatitjeje nga ana e qeverisjes komunale. Dokumentet që prekin zhvillimin urban, ekonomik dhe buxhetor nuk mund të sillen në tavolinë pa koordinim, pa konsultim dhe pa përgjegjësi,” ka shkruar Fandaj në një postim në Facebook.

Ai shtoi se si opozitë, do të vazhdojnë të jenë zë kritik dhe parimor për çdo proces që cenon interesin publik, duke kërkuar më shumë transparencë dhe profesionalizëm në menaxhimin e dokumenteve strategjike që ndikojnë drejtpërdrejt në të ardhmen e komunës.

Këto zhvillime vijnë në një moment kur Suhareka po synon projekte të reja në zonat ekonomike dhe planifikime të rëndësishme buxhetore, ndërsa vendimmarrja në KPF mbetet sfiduese për shkak të mospajtimeve ndërmjet pozitës dhe opozitës në nivel lokal.

Etiketat

Ofertat e fundit