KEK: Njësitë prodhuese funksionale, rikthehet A3 – B1 pritet brenda 48 orëve
Korporata Energjetike e Kosovës (KEK sh.a.) ka njoftuar se operimi i njësive prodhuese po vazhdon normalisht dhe nuk ka ndodhur asnjë kolaps në prodhimin e energjisë elektrike.
Pavarësisht moshës së njësive të Termocentralit “Kosova I’m A” dhe “Kosova B”, KEK thekson se ekipet teknike janë në gatishmëri të plotë për të reaguar me profesionalizëm ndaj defekteve të paparashikuara.
Sipas njoftimit, njësia A3 është rikthyer sot në operim të rregullt falë ndërhyrjes së menjëhershme të stafit teknik, ndërsa njësia B1 pritet të rikthehet brenda 48 orëve. Dje nuk është bërë nominimi për furnizim me energji për shkak të pasigurisë teknike dhe vështirësive që e bënin rikthimin e A3 pothuajse të pamundur në atë kohë.
Për sa i përket njësisë B1, KEK bën të ditur se ajo është ndalur për shkak të humbjeve të ujit në kaldajë, rrjedhjeve të avullit dhe një defekti në filtrin elektrik. Ndalja është bërë me qëllim që të shmanget ndonjë avari më e madhe që do të rrezikonte sigurinë teknike të sistemit.
KEK thekson se është duke ndërmarrë të gjitha masat për ta kthyer njësinë B1 në operim sa më shpejt, varësisht nga dëmet që do të konstatojnë ekipet teknike. Kompania garanton se do të vazhdojë të informojë publikun me transparencë për çdo zhvillim të ri që lidhet me operimin e njësive energjetike.