Gjendje alarmante në autostradën “Ibrahim Rugova”: Korsi të bllokuara, kolona dhe rrezik për aksidente

04.05.2026

Qytetarët po vazhdojnë të shprehin shqetësime serioze për gjendjen në Autostrada Ibrahim Rugova, ku në disa segmente të rëndësishme të saj raportohen korsi të bllokuara nga dheu dhe mbeturina.

Sipas ankesave të ardhura nga banorë të zonës së Suharekës, kjo situatë ka muaj që vazhdon pa ndërhyrje konkrete nga institucionet përgjegjëse.

Gjendja paraqitet veçanërisht problematike në hyrje dhe dalje të qytetit, ku gjatë fundjavave krijohen kolona të gjata dhe rritet ndjeshëm rreziku për aksidente.

Qytetarët theksojnë se bllokimi i korsive po e vështirëson qarkullimin dhe po ndikon drejtpërdrejt në sigurinë e pjesëmarrësve në trafik, duke shkaktuar vonesa të mëdha dhe humbje kohe.

Ata gjithashtu ngrenë pikëpyetje për mungesën e reagimit institucional, duke kërkuar sqarime publike për vonesat dhe masa urgjente për pastrimin dhe funksionalizimin e plotë të autostradës.

Ndërkohë, kujtohet se në dhjetor të vitit 2025, dy gra humbën jetën në këtë autostradë si pasojë e rrëshqitjes së dheut, një ngjarje që ka shtuar edhe më shumë shqetësimet për sigurinë në këtë aks rrugor.

Qytetarët kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme nga autoritetet përkatëse, duke theksuar se neglizhenca në mirëmbajtje mund të ketë pasoja të rënda për jetën dhe sigurinë publike.