Fandaj kërkon sqarime nga Muharremaj për protestën: “Cilat kompetenca po na merren?”

31.08.2026

Asambleisti i Lëvizjes Vetëvendosje në Komunën e Suharekës, Liridon Fandaj, ka kërkuar nga kryetari i komunës, Bali Muharremaj, të sqarojë konkretisht arsyet e protestës së paralajmëruar për të martën në Prishtinë.

Fandaj ka thënë se gjatë mbledhjes së Kuvendit Komunal e ka pyetur Muharremajn se cilat kompetenca po cenohen nga Qeveria, por përgjigjja, sipas tij, ishte vetëm se “Qeveria po na merr kompetencat”.

“Cilat kompetenca po na merren? Cili buxhet po na shkurtohet? Cili shërbim komunal po rrezikohet? Cili vendim i Qeverisë e cenon konkretisht Komunën e Suharekës?”, ka shkruar Fandaj.

Ai ka kërkuar që, nëse ekziston ndonjë cenim konkret i kompetencave apo buxhetit të komunës, ai të bëhet publik përmes fakteve, vendimeve dhe shifrave.

“Komuna nuk është pronë e kryetarit dhe as Qeveria nuk është armiku i komunës”, ka deklaruar Fandaj, duke shtuar se qytetarët nuk duhet të thirren në protestë pa e ditur saktësisht se për çfarë po protestojnë.

Në fund, asambleisti i LVV-së ka theksuar se kompetencat duhet të mbrohen përmes ligjit, argumenteve dhe transparencës, ndërsa qytetarët, sipas tij, meritojnë “përgjigje konkrete, jo vetëm thirrje për protestë”.