EKSKLUZIVE:Shtyhet vendimi për ish-krerët e UÇK-së, verdikti pritet më 20 korrik
Vendimi përfundimtar në procesin gjyqësor ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Dhomat e Specializuara në Hagë është shtyrë, duke u zhvendosur nga afati i paraparë i 19 majit në 20 korrik.
Burime të IndeksOnline bëjnë të ditur se ekipet mbrojtëse tashmë janë njoftuar për këtë ndryshim, ndërsa nuk janë dhënë detaje shtesë lidhur me arsyet e shtyrjes.
Procesi gjyqësor, i cili konsiderohet ndër më të rëndësishmit për ish-drejtuesit e UÇK-së, ka përfunduar para më shumë se dy muajsh, ndërsa pritej që vendimi të merrej brenda afateve të përcaktuara.
Sipas Rregullores së Dhomave të Specializuara, trupi gjykues ka në dispozicion 90 ditë për shpalljen e vendimit, me mundësinë e një shtyrjeje shtesë deri në 60 ditë.
Në këtë kuadër, afati i ri i shpalljes së verdiktit është caktuar për 20 korrik.Epilogu i këtij procesi pritet të ketë ndikim të rëndësishëm në skenën politike dhe juridike në vend.
