Defekt në gypin kryesor, pjesa e poshtme e Samadraxhës mbetet pa ujë

03.10.2026

Pjesa e poshtme e fshatit Samadraxhë të Suharekës ka mbetur pa furnizim me ujë të pijshëm për shkak të një defekti në gypin kryesor të ujësjellësit.

KRU “Hidroregjioni Jugor” ka njoftuar se defekti është lokalizuar në afërsi të Agro Zonës, në një zonë ku terreni është i mbushur, ndërsa gypi ndodhet në një thellësi prej më shumë se 7 metrash.

Sipas njoftimit, ekipet kanë punuar gjatë ditës për sanimin e defektit, por për shkak të vështirësive teknike nuk kanë arritur ta përfundojnë intervenimin.

Punimet do të vazhdojnë deri në sanimin e defektit dhe rikthimin e furnizimit me ujë sa më shpejt që të jetë e mundur.

KRU “Hidroregjioni Jugor” ka falënderuar konsumatorët për mirëkuptimin dhe durimin.