Banorët e Dobërdolanit ankohen për zhurmë dhe pluhur nga gurthyesi i ri

01.05.2026

Banorët e fshatit Dobërdolan kanë shprehur shqetësime të mëdha lidhur me funksionalizimin e një gurthyesi të ri në zonë, i cili sipas tyre po u shkakton zhurmë të vazhdueshme dhe ndotje të ajrit nga pluhuri.

Sipas banorëve, aktiviteti i gurthyesit ka filluar së fundmi dhe po ndikon drejtpërdrejt në cilësinë e jetës së tyre.

Ata theksojnë se zhurma është e padurueshme gjatë ditës, ndërsa pluhuri po përhapet nëpër shtëpi dhe hapësira përreth, duke rrezikuar edhe shëndetin e tyre.

“Jemi të shqetësuar dhe të lodhur nga kjo situatë. Nuk po mund të qëndrojmë as në oborr, as brenda shtëpive nga pluhuri dhe zhurma,” shprehen banorët.

Ata kërkojnë nga institucionet përgjegjëse që të ndërhyjnë sa më shpejt, të verifikojnë nëse gurthyesi operon sipas kushteve ligjore dhe të marrin masa për mbrojtjen e mjedisit dhe shëndetit të komunitetit.