Banorët denoncojnë gjendjen e telave pranë QMF-së në Bukosh: “Askush nuk ndërhyn”

03.09.2026

Një banor i fshatit Bukosh të Suharekës ka ngritur shqetësimin për gjendjen e telave pranë Qendrës së Mjekësisë Familjare (QMF) në këtë fshat.

Sipas tij, telat janë pothuajse në tokë dhe kjo gjendje, siç pretendon ai, vazhdon prej disa vitesh pa ndërhyrje nga institucionet përgjegjëse. Banori thotë se në të njëjtën zonë herë pas here qëndron në tokë edhe një kabllo, për të cilën nuk është i sigurt nëse bëhet fjalë për kabllo elektrike apo fibër optike.

Ai shpreh shqetësim edhe për ndërprerjet e ndriçimit në fshat, duke thënë se në raste të problemeve nuk ka reagim të mjaftueshëm për sanimin e tyre.

“Telat e rrymës te QMF-ja e Bukoshit janë pothuajse në tokë dhe kjo gjendje është kështu tash e sa vite. Herë pas here edhe një kabllo tjetër rri në tokë dhe askush nuk ndërhyn”, ka thënë banori.

Ai ka kërkuar që institucionet kompetente të ndërhyjnë dhe të verifikojnë gjendjen, me qëllim që të shmanget çdo rrezik i mundshëm për banorët.