Avdi Hoti merr timonin e Sindikatës së Policisë së Kosovës, Edita Azemi nënkryetare
Avdi Hoti është zgjedhur sot Kryetar i ri i Sindikatës së Policisë së Kosovës, pas Kuvendit të V-të Zgjedhor të Rregullt të mbajtur në sallën e konferencave të Stacionit Policor “Qendra” në Prishtinë.
Në këtë kuvend, i cili u zhvillua në një atmosferë transparente dhe demokratike, u zgjodhën edhe organet e tjera drejtuese të sindikatës.
Zgjedhja e Avdi Hotit në krye të Sindikatës së Policisë së Kosovës erdhi me shumicë votash, duke treguar besimin e anëtarëve në vizionin dhe angazhimin e tij për të ardhmen e të drejtave të pjesëtarëve të Policisë së Kosovës. Krahas tij, znj. Edita Azemi u zgjodh në postin e Nënkryetares së sindikatës.
Në fjalën e tij përshëndetëse, kryetari i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK), z. Atdhe Hykolli, theksoi rolin jetik të sindikatës në fuqizimin e pozitës së punonjësve të policisë, avancimin e të drejtave të tyre dhe krijimin e një ambienti pune profesional, dinjitoz dhe të sigurt për të gjithë.
Kryetari i sapozgjedhur, z. Avdi Hoti, iu drejtua delegatëve dhe të pranishmëve duke shprehur falënderimin e tij për besimin e dhënë. Ai e cilësoi kuvendin si dëshmi të demokracisë së brendshme sindikale dhe të përkushtimit për të çuar përpara të drejtat dhe mirëqenien e punonjësve të Policisë së Kosovës. Hoti theksoi vetëdijen për sfidat me të cilat përballet policia, si në aspektin e punës ashtu edhe në atë social-ekonomik, duke siguruar se përmes organizimit dhe zërit sindikal do të realizojnë të gjitha kërkesat e punonjësve të policisë.
Kuvendi përfundoi punimet me një atmosferë uniteti, përgjegjësie dhe bashkëpunimi. Të pranishmit uruan organet e reja drejtuese për punë të mbarë, vendosmëri dhe suksese të vazhdueshme në misionin e tyre për të përfaqësuar dhe mbrojtur dinjitetin e Policisë së Kosovës.