Aktakuzë ndaj katër personave dhe tri kompanive për keqpërdorime në kontratat e rrugëve në Suharekë
Prokuroria Themelore në Prizren ka ngritur aktakuzë ndaj katër personave dhe tri personave juridikë, nën dyshimin për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar, si dhe keqpërdorim dhe mashtrim në prokurim publik.
Sipas aktakuzës, rasti lidhet me dy kontrata për ndërtimin e rrugëve në Komunën e Suharekës, të lidhura gjatë viteve 2021 dhe 2022.
Për kontratën e vitit 2022, E.Sh., atëherë drejtor për Shërbime Publike, Mjedis dhe Emergjenca në Komunën e Suharekës, dhe B.K., zyrtar për menaxhimin e projekteve dhe menaxher i kontratës, dyshohen se kanë pranuar dhe certifikuar punime si të realizuara, ndonëse gjatë verifikimeve në terren është konstatuar se ato nuk ishin kryer sipas kontratës.
Sipas Prokurorisë, ndryshimet në pozicionet dhe lokacionet e punimeve nuk janë proceduar në përputhje me rregullat e prokurimit publik. Këto veprime dyshohet se i kanë sjellë operatorit ekonomik përfitim prej 8,301.78 euro, duke i shkaktuar Komunës së Suharekës dëm në të njëjtën shumë.
Ndërsa, lidhur me kontratën e vitit 2021, B.K. dhe E.Sh. dyshohen se nuk i kanë përmbushur detyrat gjatë menaxhimit dhe mbikëqyrjes së kontratës, duke pranuar punime si të përfunduara, ndonëse një pjesë e tyre nuk ishte realizuar sipas kontratës. Dëmi i pretenduar në këtë rast kap shumën prej 1,661.20 euro.
Prokuroria ka ngritur aktakuzë edhe ndaj A.S. dhe personit juridik “H.S.” SH.P.K., lidhur me kontratën e vitit 2021, si dhe ndaj B.S. dhe personave juridikë “I.” SH.P.K. dhe “K.H.” SH.P.K., lidhur me kontratën e vitit 2022.
Sipas aktakuzës, operatorët ekonomikë nuk i kanë realizuar të gjitha punimet e kontraktuara dhe kanë paraqitur dokumentacion për punime të kryera, duke i shkaktuar Komunës së Suharekës dëm financiar.
Prokurori i çështjes ka kërkuar nga gjykata që, pas shqyrtimit gjyqësor dhe vlerësimit të provave, të pandehurit të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit.
Për personat zyrtarë është propozuar edhe ndalimi i ushtrimit të funksioneve në administratën publike ose shërbimin publik, ndërsa për personat juridikë ndalimi i ushtrimit të veprimtarisë.
Të gjithë të pandehurit konsiderohen të pafajshëm deri në një vendim të formës së prerë të gjykatës.
