10 vite me mungesë uji, banorët e Mahallës së Epërme në Mushtisht kërkojnë zgjidhje
Banorët e Mahallës së Epërme në Mushtisht po përballen prej rreth 10 vitesh me probleme të vazhdueshme në furnizimin me ujë të pijshëm, veçanërisht gjatë sezonit të verës.
Foto: Ilustrim
Sipas një shqetësimi të dërguar në Suhareka Online, furnizimi me ujë është tejet i parregullt. Banorët thonë se në disa raste uji vjen vetëm për 10–15 minuta, kryesisht rreth mesnatës ose në orët e hershme të mëngjesit, për t’u ndërprerë sërish.
Ata shprehen të shqetësuar se, pavarësisht se problemi përsëritet çdo vit, deri më tani nuk është gjetur një zgjidhje e qëndrueshme.
Banorët kërkojnë përgjigje nga institucionet dhe ndërmarrjet përgjegjëse, duke ngritur pyetjen se kush mban përgjegjësi për këtë situatë dhe pse problemi nuk është zgjidhur për kaq gjatë.
“Ne nuk po kërkojmë asgjë më shumë sesa një gjë elementare: ujë të pijshëm dhe furnizim të rregullt. 10 vite janë shumë gjatë për të pritur një zgjidhje”, thuhet në shqetësimin e banorëve.
Ata kërkojnë që institucionet kompetente të ndërhyjnë dhe të ofrojnë një zgjidhje të përhershme për furnizimin me ujë të pijshëm në këtë pjesë të Mushtishtit.
