Krasniqi: Nga java e ardhshme mund të rriten rastet me COVID-19

13.02.2021

Drejtori i përgjithshëm i Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës, Valbon Krasniqi ka thënë se mund të kemi rritje të rasteve pozitive me COVID-19. Krasniqi nuk ka dashur të komentojë lehtësimin e masave kundër COVID-19 nga Qeveria në detyrë e Kosovë, por ka thënë se aktualisht situata me koronavirus është më e mirë sesa […]

Drejtori i përgjithshëm i Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës, Valbon Krasniqi ka thënë se mund të kemi rritje të rasteve pozitive me COVID-19.

Krasniqi nuk ka dashur të komentojë lehtësimin e masave kundër COVID-19 nga Qeveria në detyrë e Kosovë, por ka thënë se aktualisht situata me koronavirus është më e mirë sesa muajt e kaluar dhe se numri prej rreth 500 pacientëve të hospitalizuar është nën kontroll.

Ai ka folur për variantin e ri britanik si dhe për përgatitjet që kanë bërë për vaksinim.

I pyetur se a do të ketë rritje të rasteve Krasniqi thotë se nëse merren parasysh ngjarjet që kanë ndodhur së fundmi në Kosovë, përfshirë rikthimin e nxënësve në shkolla, pastaj fushatat e partive politike dhe tubimet në masë, në javët në vazhdim mund të pritet rritje e rasteve me COVID-19.

“Ne po i përcjellim me vëmendje situatën epidemiologjike në nivel vendi dhe jo vetëm në vend, por edhe në shtetet përreth dhe më gjerë.

Jemi dëshmitarë që në shumicën e shteteve janë duke përjetuar një valë të re të rasteve me numër të madh të të infektuarve.

Nëse marrim parasysh ngjarjet të cilat kanë ndodhur në vendin tonë, përfshirë edhe rikthimin e nxënësve në shkolla, më pastaj fushata e partive politike, tubimet në masë, ne mund të presim që mund të kemi më shumë raste të reja në javët në vazhdim.

Sidoqoftë, ne do ta përcjellim me vëmendje këtë situatë dhe karshi çdo ngjarje të reagojmë me kohë”. ka thënë ai.