Rritet numri i të infektuarve me COVID-19 në Suharekë, 72 raste brenda një jave
Rastet e të infektuarve me COVID-19 në Kosovë ditëve të fundit kanë shënuar ngritje, duke e krahasuar me ditët e para të këtij viti. Edhe në Komunën e Suharekës rastet pozitive me COVID-19 në ditët e fundit janë shtuar e që si pasojë Suhareka e cila për disa javë bënte pjesë në zonën e gjelbër, […]
Rastet e të infektuarve me COVID-19 në Kosovë ditëve të fundit kanë shënuar ngritje, duke e krahasuar me ditët e para të këtij viti.
Edhe në Komunën e Suharekës rastet pozitive me COVID-19 në ditët e fundit janë shtuar e që si pasojë Suhareka e cila për disa javë bënte pjesë në zonën e gjelbër, u kthye përsëri në zonën e verdhë, shkruan SuharekaOnline.
Sa raste pozitive me COVID-19 u identifikuan brenda një jave në Komunën e Suharekës?
Në bazë të raportimeve ditore të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike në Kosovë bëhet e ditur se që nga data 18 deri më 24 janar në Komunën Suharekës janë identifikuar 72 raste pozitive me COVID-19 dhe janë regjistruar 2 viktima.
Më datë 21 janar në Komunën e Suharekës janë shënuar 25 raste pozitive numër ky rekord që nga muaji mars i vitit të kaluar ku edhe u regjistruan rastet e para në Kosovë, ndërsa me datë 24 janar është shënuar vetëm një rast pozitiv me COVID-19.
Gjithashtu gjatë kësaj jave në Komunën e Suharekës janë regjistruar 2 viktima të moshës 61 dhe 80 vjeç.
Data | Rastet pozitive | Viktima |
18 janar, 2021 | 11 | 0 |
19 janar, 2021 | 13 | 1 (61 vjeç) |
20 janar, 2021 | 7 | 0 |
21 janar, 2021 | 25 | 0 |
22 janar, 2021 | 4 | 1 (80 vjeç) |
23 janar, 2021 | 11 | 0 |
24 janar, 2021 | 1 | 0 |
Gjithsej | 72 | 2 |
Nga cilat vende janë rastet pozitive me COVID-19 që u identifikuan brenda kësaj jave?
Në bazë të raportimeve ditore të IKSHPK-së gjatë kësaj jave vendet ku rastet pozitive me COVID-19 ishin më të theksuara janë: Greikoc, Mushtisht, Samadrexhë, Gjinoc, Vraniq, Gelancë, Studençan etj.
Cilat janë masat kufizuese për Komunën e Suharekës?
Komuna Suharekës e cila tashmë është pjesë e zonës së verdhë, zonë kjo e cila konsiderohet me rrezikshmëri të mesme të përhapjës së infeksionit me COVID-19 ka këto masa kufizuese:
-Operatoret ekonomik lejohen të punojnë nga 05:00-22:00;
-Qendrat tregtare lejohen të punojnë nga 05:00-22:00;
– Shërbimet e hotelerisë dhe gastronomisë lejohen të punojnë nga ora 05:00 deri në ora 22:00, ndërkaq pas orës 22:00 punojnë me shërbim “merr me vete” dhe “porosi me dërgesë”;
-Të gjitha institucionet publike dhe private këshillohet të reduktojnë stafin bazuar në specifikat e tyre dhe “Manualin për mbrojtjen nga përhapja e Covid-19”;
-Transporti publik lejohet të punojë duke shfrytëzuar deri në 50% të kapaciteteve, duke respektuar “Manualin për mbrojtjen nga përhapja e Covid-19”;
-Taksitë lejohen të punojnë me një (1) pasagjer prapa ose tre (3) nëse janë anëtarë të familjes, duke respektuar “Manualin për mbrojtjen nga përhapja e Covid-19”;
– Institucioneve vartëse të MKRS dhe komunave (siç janë teatrot, bibliotekat, filarmonia, galeritë, ansamblet, baleti, kinematë, qendrat rinore, muzetë, qendrat e kulturës me grupe dhe të ngjashme), lejohet të punojnë vetëm deri në orën 22:00 duke shfrytëzuar deri në 40% të hapësirës/sipërfaqeve të objekteve përkatëse për të gjitha aktivitet (si në shfaqje ashtu edhe në ushtrime), duke respektuar “Manualin për mbrojtjen nga përhapja e Covid-19”,
-Lejohen aktivitetet sportive në hapësira të mbyllura dhe të hapura, ku gjatë stërvitjeve në hapësirat e mbyllura mund të marrin pjesë deri në 20 persona, ndërsa gjatë garave deri ne 50 persona, gjithmonë bazuar në protokolle vendore dhe ndërkombëtare sportive, si dhe duke u bazuar në “Manualin për mbrojtjen nga përhapja e Covid-19”,
-Lejohen fitneset dhe pishinat e mbyllura për aktivitete individuale rekreative duke shfrytëzuar deri në 40% të hapësirave/sipërfaqeve, duke respektuar “Manualin për mbrojtjen nga përhapja e Covid-19”.
-Pavarësisht pikave 36.7, 36.8 dhe 36.9 më lartë, autorizohet Ministria e Shëndetësisë që bazuar në rekomandimet e IKSHP-së të nxjerrë vendime operacionale të ndalojë këto aktivitete.
Ndryshe, gjatë së hënë, të javës së fundit e muajit të parë të këtij viti në Komunën e Suharekës janë identifikuar 12 raste pozitive me COVID-19 dhe është raportuar një viktimë e moshës 67 vjeç.