LDK në Suharekë: Nxënësit e shkollës “7 Marsi” pa ngrohje, po humbin orët mësimore

4 orë

LDK në Suharekë ka ngritur shqetësimin për mungesën e ngrohjes në shkollën fillore “7 Marsi”, duke thënë se nxënësit dhe mësimdhënësit po përballen me temperatura të ulëta për shkak të një defekti në sistemin e ngrohjes qendrore.

Sipas LDK-së, defekti në sistemin e ngrohjes ekziston që nga pranvera dhe, pavarësisht se është adresuar te Drejtoria Komunale e Arsimit (DKA), deri më tani nuk është gjetur zgjidhje.

Në reagimin e saj, LDK-ja thotë se për shkak të temperaturave të ulëta, nxënësit po lirohen para përfundimit të orarit mësimor, duke humbur kështu orë të mësimit.

Po ashtu, kjo parti ka kritikuar pushtetin komunal për mospërmbushjen e premtimit për ndërtimin e një shkolle të re, duke pretenduar se në buxhetin komunal nuk janë planifikuar mjete për realizimin e këtij projekti.

LDK-ja ka kritikuar edhe qasjen e DKA-së ndaj humbjes së orëve mësimore, duke pretenduar se në vend të zgjidhjes së problemit, po bëhen kërcënime për ndalesa për orët e humbura.

Në fund, LDK-ja i ka bërë thirrje institucioneve komunale që ta trajtojnë me urgjencë këtë çështje, duke paralajmëruar se përveç humbjes së procesit mësimor, mungesa e ngrohjes mund të rrezikojë edhe shëndetin e nxënësve.