Qeveria miraton projektbuxhetin prej 4.27 miliardë eurosh për vitin 2027

1 orë

Qeveria e Kosovës ka miratuar projektbuxhetin për vitin 2027, i cili kap vlerën e 4.27 miliardë eurove dhe është proceduar për shqyrtim në Kuvend.

Sipas kryeministrit Albin Kurti, projektbuxheti i ri është 300 milionë euro më i lartë se buxheti bazë i vitit 2026, ndërsa 908 milionë euro janë paraparë për komunat.

Kurti ka bërë të ditur se në këtë buxhet është përfshirë edhe paga e 13-të për punonjësit e sektorit publik, si dhe rritja e koeficientit të pagave nga 110 në 120 euro, duke filluar nga 1 korriku 2027.

Po ashtu, nga 1 janari 2027 parashihet rritja e shtesave për fëmijë për 25 për qind. Kjo rritje do të vazhdojë në mënyrë graduale çdo vit, deri në dyfishimin e tyre në vitin 2030.

Sipas shembujve të prezantuar nga Kurti, një familje me dy fëmijë që aktualisht përfiton 60 euro në muaj, nga janari do të marrë 75 euro, ndërsa një familje me katër fëmijë, nga 180 euro sa merr aktualisht, do të përfitojë 225 euro.

Një tjetër pikë e rëndësishme e projektbuxhetit është ndarja e mbi një miliard eurove për investime kapitale. Në mesin e projekteve të përmendura janë Unaza e Jashtme e Prishtinës, segmenti rrugor Duhël-Banullë dhe Autoudha e Dukagjinit.

Gjithashtu, janë paraparë investime në infrastrukturën shëndetësore, përfshirë Qendrat e Mjekësisë Familjare dhe pajisjet moderne mjekësore, si dhe përfundimi i infrastrukturës sportive për Lojërat Mesdhetare “Prishtina 2030”.

Projektbuxheti parasheh edhe investime në turizëm, ndërtimin e digave dhe themelimin e një aviokompanie kombëtare.

Kurti ka bërë të ditur se buxheti i vitit 2027 për pagat arrin në 1 miliard e 85 milionë euro, ndërsa ka theksuar se janë paraparë edhe mjete shtesë për ekipet mbrojtëse të ish-krerëve të UÇK-së.

Projektbuxheti tashmë i është përcjellë Kuvendit të Kosovës për shqyrtim dhe miratim.