Shefja e asamblistëve të VV-së në Suharekë ngre shqetësimin për mamografinë: Terminet po caktohen për mars 2027

6 orë

Shefja e grupit të asamblistëve të Lëvizjes Vetëvendosje në Kuvendin Komunal të Suharekës ka reaguar lidhur me pritjet e gjata për kryerjen e mamografisë në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF).

Përmes një reagimi publik, ajo ka bërë të ditur se gratë që aktualisht paraqiten për të caktuar termin për mamografi në QKMF-në e Suharekës, mund ta marrin atë vetëm për muajin mars të vitit 2027.

Ajo ka theksuar se zbulimi i hershëm i kancerit të gjirit shpëton jetë, ndërsa vonesat në diagnostikim mund të kenë pasoja serioze për shëndetin e grave.

Në reagimin e saj, ajo ka ngritur disa pyetje për institucionet përgjegjëse, duke kërkuar sqarime se përse qytetaret duhet të presin kaq gjatë, nëse QKMF-ja ka kapacitete të mjaftueshme dhe çfarë po ndërmerr Drejtoria e Shëndetësisë për zgjidhjen e këtij problemi.

“Shëndetësia nuk matet me premtime dhe deklarata, por me shërbimet që qytetarët marrin në kohën kur kanë nevojë për to”, ka shkruar ajo.

Në fund, ajo ka theksuar se gratë e Suharekës meritojnë qasje në kohë në shërbime shëndetësore dhe jo pritje me muaj të tërë për një ekzaminim që mund t’ua shpëtojë jetën.

Në reagimin e saj janë etiketuar edhe kryetari i Komunës, Bali Muharremaj, Driton Maliqaj dhe Kimete Bajraktari.