Sveçla themelon grupin punues për pensionimin e parakohshëm të policëve

1 orë

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka marrë vendim për themelimin e grupit punues për hartimin e Projektligjit për Pensionimin e Parakohshëm të personelit policor në Policinë e Kosovës.

Sipas vendimit zyrtar, grupi punues do të përbëhet nga 14 anëtarë dhe do të udhëhiqet nga zëvendësministri Viktor Buzhala, ndërsa zëvendësudhëheqës është caktuar Qëndrim Bytyqi nga Departamenti Ligjor i MPB-së.

Në përbërje të grupit do të jenë përfaqësues të Ministrisë së Punëve të Brendshme, Policisë së Kosovës, Zyrës së Kryeministrit, ministrive përkatëse dhe Sindikatës së Policisë së Kosovës.

Përveç hartimit të draftit fillestar të projektligjit, grupi punues do të jetë përgjegjës edhe për zhvillimin dhe administrimin e konsultimeve paraprake dhe publike.

Megjithatë, vendimi nuk përcakton ende moshën e pensionimit të parakohshëm, kushtet dhe përfitimet që do t’u takojnë zyrtarëve policorë, e as afatin konkret për përfundimin e projektligjit.