Hapet Forumi Ekonomik Gjermano-Kosovar, Kurti: Rreth 200 kompani gjermane operojnë në Kosovë
Në Prishtinë është hapur edicioni i tretë i Forumit Ekonomik Gjermano-Kosovar, i organizuar nga KDWV, me mbështetjen e Ambasadës Gjermane dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës.
Në ceremoninë hapëse mori pjesë kryeministri Albin Kurti, i cili theksoi rëndësinë e thellimit të bashkëpunimit ekonomik ndërmjet Kosovës dhe Gjermanisë, duke bërë thirrje që mundësitë e diskutuara më parë të shndërrohen në partneritete konkrete dhe afatgjata.
Kurti tha se marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve mbështeten në lidhje të fuqishme njerëzore, ekonomike dhe historike, duke veçuar kontributin e mërgatës kosovare në Gjermani.
Sipas tij, vetëm gjatë vitit të kaluar, mërgata ka dërguar në Kosovë mbi 1.4 miliardë euro, ndërsa që nga viti 2008, afërsisht dy nga pesë euro të remitencave kanë ardhur nga Gjermania.
Duke folur për bashkëpunimin ekonomik, kryeministri bëri të ditur se aktualisht në Kosovë operojnë rreth 200 kompani me kapital gjerman, ndërsa Gjermania mbetet partneri më i rëndësishëm tregtar i vendit.
Ai theksoi se eksportet e Kosovës drejt Gjermanisë janë nëntëfishuar gjatë dekadës së fundit, duke u rritur nga më pak se 12 milionë euro në vitin 2015 në mbi 107 milionë euro në vitin 2025.
“Gjermania sjell përvojën, Kosova sjell energjinë. Dhe, kurrë nuk kam parë kompani të suksesshme që nuk ka nevojë për të dyja”, deklaroi Kurti.
Kryeministri përmendi gjithashtu përparësitë që Kosova u ofron investitorëve të huaj, përfshirë popullsinë e re, fuqinë punëtore të kualifikuar, normën tatimore prej 10 për qind mbi të ardhurat e korporatave dhe përdorimin e euros si valutë zyrtare.
Sipas tij, mbi 99 për qind e ekonomive familjare në Kosovë kanë qasje në internet, ndërsa ekonomia e vendit gjatë viteve të fundit ka shënuar rritje mesatare vjetore mbi 4 për qind.
Në fokus të edicionit të sivjetmë të Forumit Ekonomik Gjermano-Kosovar janë tri fusha kryesore: transformimi digjital dhe inteligjenca artificiale, energjia dhe infrastruktura e qëndrueshme, si dhe avancimi i prodhimit dhe industrisë.
Kurti theksoi se këta sektorë paraqesin mundësi të rëndësishme për bashkimin e kapitalit dhe përvojës gjermane me talentin dhe potencialin zhvillimor të Kosovës.
Forumi do të zhvillohet gjatë dy ditëve dhe, krahas diskutimeve profesionale, do të përfshijë takime ndërmjet përfaqësuesve të bizneseve, shkëmbim përvojash dhe vizita konkrete në kompani, me synim krijimin e mundësive të reja për investime dhe bashkëpunim ekonomik ndërmjet dy vendeve.
