Konjufca ia kujton Gjuriqit 12 mijë shqiptarët e vrarë: Këtë e quaj mohim të drejtësisë
Zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme i Kosovës, Glauk Konjufca, ka reaguar ashpër ndaj ministrit të Jashtëm të Serbisë, Marko Gjuriq, gjatë mbledhjes së Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB).
Konjufca i ka kujtuar homologut serb krimet e kryera nga Serbia gjatë luftës në Kosovë, duke e kritikuar për heshtjen ndaj mijëra viktimave shqiptare.
“Shteti i Serbisë, me flamurin e Serbisë, ka vrarë në vendin tim 12 mijë njerëz të paarmatosur, të pafajshëm shqiptarë. Asnjë fjalë nga ministri Gjuriq për 12 mijë shqiptarë të vrarë. Këtë e quaj unë mohim të drejtësisë”, ka deklaruar Konjufca.
Gjatë fjalimit të tij, kryediplomati kosovar ka folur edhe për aktgjykimin e Dhomave të Specializuara ndaj katër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke shprehur shqetësimin e institucioneve të Kosovës lidhur me ashpërsinë e dënimeve.
Ai ka theksuar se lufta çlirimtare e UÇK-së nuk është në gjykim dhe se Kosova pret që gabimet që, sipas tij, përmban aktgjykimi të korrigjohen në shkallën e Apelit.
Konjufca i ka bërë thirrje Serbisë që të ndërpresë pengesat sistematike ndaj anëtarësimit të Kosovës në organizatat ndërkombëtare dhe ta pranojë njohjen e ndërsjellë si bazë të marrëdhënieve ndërmjet dy shteteve.
“Sovraniteti i Republikës së Kosovës nuk është i negociueshëm”, ka theksuar ai.
Në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit, Konjufca ka ngritur gjithashtu shqetësimin për diskriminimin e shqiptarëve në Luginën e Preshevës, ndërsa ka folur edhe për përmirësimin e situatës së sigurisë në veri të Kosovës.
Sipas tij, mbyllja e strukturave ilegale të mbështetura nga Serbia ka kontribuar në forcimin e sigurisë dhe integrimin institucional, duke garantuar se asnjë qytetar, pavarësisht përkatësisë etnike, nuk do të mbetet pa shërbime.
