Gjobat në trafik tashmë njoftohen edhe me SMS, aktivizohet shërbimi i ri në e-Kosova
Policia e Kosovës ka njoftuar se është aktivizuar një shërbim i avancuar në platformën shtetërore e-Kosova, përmes të cilit qytetarët do të kenë qasje më të lehtë dhe më të detajuar në informacionet lidhur me gjobat dhe masat e shqiptuara në trafik.
Ky shërbim është mundësuar falë integrimit ndërmjet Sistemit Informativ të Policisë së Kosovës (SIPK) dhe platformës e-Kosova.
Sipas njoftimit të Policisë, qytetarët tashmë do të njoftohen përmes platformës e-Kosova dhe mesazheve telefonike (SMS), sapo një gjobë të regjistrohet në sistem.
Përveç njoftimeve, platforma mundëson edhe qasje në raporte më të detajuara lidhur me gjendjen e gjobave dhe masave mbrojtëse. Qytetarët dhe pronarët e bizneseve mund të shohin raportet përkatëse drejtpërdrejt në e-Kosova.
Raportet përfshijnë informacione për gjobat e papaguara, masat mbrojtëse ndaj personave fizikë, përfshirë konfiskimin apo anulimin e patentë shoferit, si dhe pikët negative të regjistruara në sistem.
Policia e Kosovës vlerëson se ky avancim do të ndikojë në rritjen e transparencës, përmirësimin e qasjes në informacione dhe lehtësimin e komunikimit ndërmjet institucioneve dhe qytetarëve.
Në fund, Policia ka ftuar qytetarët që ta shfrytëzojnë platformën https://ekosova.rks-gov.net/ për t’u informuar me kohë lidhur me gjobat dhe masat në trafik.
