IKShPK: 224 raste me fruth në Kosovë, mbi 95% e të prekurve janë të pavaksinuar
Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKShPK) ka njoftuar se nga 16 prilli deri më 18 tetor 2026, në Kosovë janë konfirmuar 224 raste me fruth, ndërsa 21 prej tyre janë regjistruar vetëm gjatë javës së fundit.
Sipas të dhënave të IKShPK-së, mbi 95 për qind e personave të prekur nga fruthi janë të pavaksinuar me vaksinën MMR, e cila mbron nga fruthi, shytat dhe rubeola. Instituti thekson se këto të dhëna dëshmojnë rëndësinë e vaksinimit në parandalimin e përhapjes së sëmundjes dhe mbrojtjen e shëndetit të fëmijëve.
Për të rritur mbulueshmërinë me vaksina, IKShPK ka intensifikuar vaksinimin e rregullt, si dhe vaksinimin plotësues për fëmijët që nuk janë vaksinuar me kohë për arsye të ndryshme.
Si rezultat i kësaj fushate, gjatë këtij viti janë vaksinuar mbi 3,481 fëmijë të moshës 2 deri në 5 vjeç.
IKShPK ka vlerësuar kontributin e prindërve, profesionistëve shëndetësorë dhe institucioneve në rritjen e shkallës së vaksinimit, duke u bërë thirrje qytetarëve që të sigurohen se fëmijët e tyre i kanë marrë vaksinat sipas kalendarit kombëtar të imunizimit.
Instituti thekson se vaksinimi mbetet masa më e rëndësishme për parandalimin e sëmundjeve të evitueshme me vaksina dhe për mbrojtjen e shëndetit të fëmijëve dhe të gjithë komunitetit.
