Nga nesër pezullohet grumbullimi i mbeturinave në Suharekë dhe tri komuna të tjera
Kompania Rajonale e Mbeturinave (KRM) “Ekoregjioni” ka njoftuar se nga nesër, 15 tetor 2026, do të pezullojë shërbimet e grumbullimit dhe transportimit të mbeturinave në komunat e Suharekës, Prizrenit, Malishevës dhe Rahovecit, deri në një njoftim tjetër.
Sipas kompanisë, pezullimi do të përfshijë si zonat urbane, ashtu edhe fshatrat e këtyre komunave.
Ky vendim vjen si pasojë e pamundësisë për të deponuar mbeturinat në deponinë e KMDK-së në Landovicë, pasi kjo e fundit nuk po lejon hyrjen e automjeteve të Ekoregjionit për shkak të obligimeve financiare të papërmbushura.
Ekoregjioni ka sqaruar se situata është krijuar si pasojë e mosshlyerjes së obligimeve financiare nga komunat përkatëse ndaj kompanisë, gjë që ka ndikuar drejtpërdrejt në pamundësinë e saj për t’i përmbushur obligimet ndaj KMDK-së.
Për këtë arsye, kompania u ka bërë thirrje qytetarëve dhe bizneseve që të mos i nxjerrin mbeturinat jashtë shtëpive, objekteve apo lokaleve të tyre deri në rifillimin e shërbimeve.
Ekoregjioni ka kërkuar ndjesë për shqetësimet që mund të shkaktojë kjo situatë, duke bërë të ditur se qytetarët do të njoftohen me kohë për çdo zhvillim të ri dhe për rifillimin e shërbimeve.
